Identiteti etnik në varësi të politikës

Irdk

Fazli Stollaj

e hënë, 31 dhjetor 2018

Komuniteti Egjiptian e Ashkali duhet të ndërgjegjësohet më shumë kur kanë të bëjnë me përcaktimin e përfaqësuesve politik. Është sfidë e madhe e komuniteti për të mos u bërë pre e pazareve të politikanëve aktual. Politikanët e pushtetshëm, është e qartë se ata ekzistojnë për llogari të veta.

Prezenca e faktorit ndërkombëtar në Kosovë, ka vendos kornizat e një shoqërie shumë etnike. Ky fakt, nuk e ka ndryshuar realitetin e përbërjes etnike në Kosovë, por e ka njohur të drejtat e të gjitha minoriteteve dhe ka garantuar edhe prezencën politike të këtyre grupeve etnike në institucionet e Kosovës.

Shumë-etniciteti i shoqërisë së Kosovës është konstruktuar më shumë për të balancuar konfliktin e gjatë në mes të shqiptarëve dhe serbeve sesa për të pasur përfaqësim politik, p.sh Ashkalitë, Egjiptianët e Romët. Njohja e së drejtës për përfaqësim politik në baza etnike e ka mundësuar edhe fasadën etnike Egjiptian e Ashkali. Duke pasur të garantuar vendet në Parlamentin e Kosovës, përfaqësuesit politik të komuniteteve Egjiptian e Ashkali, edhe pse janë i njëjti grup etnik, prezantohen si grupe të veçanta etnike. Ky lloj përfaqësimi nuk i ka sjell asnjë të mirë këtij grupi etnik, pjesëtarët e të cilit, përveç deklarimit politik, nuk e kanë të zhvilluar ndjesinë etnike, ashtu si e prezantojnë përfaqësuesit e tyre politik. Prandaj deklarimi si grupe të veçanta etnike i Egjiptianëve dhe Ashkalive është deklarim politik. Këto grupe, përveç partive politike dhe disa OJQ-ve, nuk kanë asnjë mekanizëm institucional që merret me çështjet e zhvillimit apo avancimit kulturor e veçantive tjera etnike.

Duke qenë se substanca etnike e Egjiptianëve dhe Ashkalive është e lidhur tërësisht me përfaqësimin politik, fati i identitetit etnik i këtyre grupeve është në varësi të politikanëve.

Kur flitet për shoqërinë shumë-etnike të Kosovës dhe për të drejtat e garantuara me kornizën ligjore, këto përparësi ligjore zbehen shumë kur shpaloset realiteti i komuniteteve Rom, Egjiptian e Ashkali. Pothuajse të gjitha personalitet e Kosovës me paraqitje racionale, gjendjen e këtyre komuniteteve e paraqesin si alarmante. Elita e shoqërisë së Kosovës, trajtimin e këtyre grupeve etnike, e shohin si njollë të zezë të shoqërisë, ndërsa përfaqësuesit e tyre politik nuk kanë dije të mjaftueshme për të propozuar rrugëdalje nga kjo pozitë e vështirë.

Për shkak të pa dijes dhe për interesa materiale të përfaqësuesve politik, komuniteti po mbahet i ndarë në Egjiptian e Ashkali. Kjo është bërë pengesë e pa kalueshme për konsolidim si bashkësi me një identitet etnik të unifikuar, e cila pastaj reflektohet me pasoja tjera që burojnë nga paragjykimet e shoqërisë së Kosovës.

Komuniteti Egjiptian e Ashkali duhet të ndërgjegjësohet më shumë kur kanë të bëjnë me përcaktimin e përfaqësuesve politik. Është sfidë e madhe e komunitetit për të mos u bërë pre e pazareve të politikanëve aktual. Politikanët e pushtetshëm, është e qartë se ata ekzistojnë për llogari të veta. Është provuar se përfaqësuesit aktual politik nuk durojnë të kenë pranë vetit njerëz të ditur, intelektual apo personalitete. Me veprimet e tyre agresive e kanë mbytur mundësinë e krijimit të një uniteti dhe platforme të përbashkët. Në vend që të tregohen të përgjegjshëm për rolin që e kanë marrë, këta merren me intriga e etiketime ndaj intelektualëve që kanë besuar se po bëjnë punë të mirë për komunitetin e tyre. Politikanët e pushtetshëm po zgjedhin njerëz servil të cilët nuk e rrezikojnë interesin e tyre personal. Interesat e tyre personale po i realizojnë përmes veprimeve korruptive dhe mashtrimeve të diasporës.

Nëse ne duhet të konsolidohemi si bashkësi me identitet të qartë etnik dhe të mos jemi pjesa më e prapambetur e shoqërisë dhe të mos jemi vetëm për trajtim humanitar, atëherë duhet të zgjedhin njerëz që dinë të dalin nga gjendja e ngujuar. Gjatë këtyre viteve të veprimtarisë politike të komunitetit, mund të gjenden edhe individ që kanë dije dhe janë dëshmuar të përgjegjshëm. Prandaj unë pres që në vitin 2019 të kemi ndryshim të përfaqësimit politik te komuniteti Egjiptian dhe Ashkali, si pikënisje e zgjidhjes së shumë problemeve të grumbulluara për rreth trajtimin aktual të komunitetit nga shoqëria kosovare.


Irdk

Ky është web site zyrtar i partisë politike Partia Egjiptiane, IRDK. Të gjitha informacionet e publikuara janë e drejt autoriale e partisë. Administrimi i web site bëhët nga Partia Egjiptiane - IRDK.

Irdk

info@irdk-kosova.org

© 2024 - Fazli Stollaj