Katër vendet e rezervuara për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, të
definuara me kushtetutën e Kosovës,
kanë bërë që përfaqësuesit politik të
këtyre komuniteteve, në veçanti ashkalitë dhe egjiptianët, më shumë të merren
me historinë e këtyre komuniteteve se sa të përqendrohen në përmirësimin e
pozitës së vështirë të këtij komuniteti. Lëshimi në temat populliste të
komunitetit nga ana e politikanëve, siç është gara në mes entiteteve egjiptian
dhe ashkali, lidhur me origjinën e vërtetë dhe etiketimi i njeri tjetrit, bëhet
parasë gjithash për përfitime politike, pasi që te këto komunitete ekziston
konkurrenca për vendet e garantuara në Parlament. Qasja e gabuar e klasës
politike lidhur me identitetin etnik të entiteteve egjiptian ashkali dhe
përdorimi i kësaj çështje si monedhë politike, ka rezultuar në fuqizimin e identitetit
përmes akronimit RAE. Kushtet e vështira të jetës që përfshinë një pjesë të
mirë të komunitetit egjiptian, ashkali, nuk zgjidhen me ndihma humanitare
ad-hoc, sa për të marrë fotografi për facebook nga politikanët, por këto
probleme duhet të adresohen për zgjidhje nga shteti.
Duke përfituar nga prezenca ndërkombëtare në Kosovë dhe shfaqja e
organizatave politike, komunitetet e vogla etnike u bënë pjesë e kornizave
ligjore të Kosovës, gjegjësisht përfituan benificione e të qenurit komunitet
pakicë. Këto komunitete të vogla kanë përfaqësues politik në Parlamentin e
Kosovës jashtë kritereve për zgjedhjen e deputeteve nga subjektet politike të
shumicës. Duke i pasur përfaqësuesit në Parlament, shteti e ka la borxhin për këto
komunitete. Topi është te deputetet. Deputetet e komunitetit egjiptin-ashkali
do të duhej të ishin të vetëdijshëm se e kanë marr përgjegjësinë për
komunitetin që kategorizohen si komunitet i margjinalizuar. Veçanërisht në
kohën e fundit shohim një ‘etno nacionalizëm’ të komuniteti egjiptian e ashkali,
i manifestuar veç e veç, e i nxitur nga përfaqësuesit politik. Ky ‘etno
nacionalizëm’ i kopjuar nga popujt tjerë të Ballkanit shfaqet për të
demonstruar një ‘urrejtje’ në mes të egjiptianëve e ashkalive. Këto shfaqje, që
dy tre vjet, i shohim në mediat sociale, sidomos në muajin shkurt dhe qershor,
në ditët kombëtare të këtyre komuniteteve. Këto manifestime, që nxitin më së
shumti urrejtje në mes egjiptianëve dhe ashkalive, bëhen me fonde të shtetit që
sigurohen nga deputetet.
Mbajtja e politikës së komunitetit egjiptian-ashkali brenda temës etnike
është në esencë paaftësi e deputeteve të komunitetit për të zgjedhur rrugën e
përparimit të komunitetit. Në veçanti, deputetet tanë mbahen peng nga disa
veprimtar e ish politikan të diasporës sipas
të cilëve bartës të konsolidimit të identitetit etnik duhet të jenë deputet.
Veprimtarët e diasporës do të duhej të angazhohen për krijimin e mekanizmave të
përbashkëta dhe të pavarura dhe jo politike. Pa aftësia e konsolidimit të
identitetit të veçantë të egjiptianëve-ashkalive qëndron në mënyrën e qasjes së
kësaj çështje. Pothuajse gjithmonë, kur trajtohet identiteti i përbashkët, fillohet
nga etnogjeneza. Historia është një pyll në të cilin vështirë gjendet
rrugëdalje, në veçanti për ne që nuk jemi marrë me gjurmime historike e
kulturore. Pozicionimi dhe kontestimi i rrëfimeve mbi origjinën e egjiptianëve
e ashkalive, duke e minimizuar realitetin e tanishëm për identitet të njëjtë,
po e vendos identitetin tonë në luhatje të madhe. Kjo është e dëmshme për
faktin se ky identitet i përbashkët dhe i veçantë nga të tjerët është
manifestuar dhe kultivuar nga shumë gjenerata para nesh.
Pjesëtaret e komunitetit nuk i kanë borxh politikanëve, dhe atyre që i
mbajnë ata për fyti, që identiteti ynë
të mbetet përgjithmonë i pa qartë. Gjithashtu askush nuk i ka borxh
politikanëve që për mungesë të vizionit politik të nxitin urrejtje të rreme në
mes këtyre entiteteve. Mjafton që dimë se egjiptianët e ashkalitë janë së
bashku këtu me shekuj. Janë këtu së bashku si dajë e nip, kushëri, si vëllezër.
Nuk janë pengesë dilemat e origjinës për t’u konsoliduar si një bashkësi etnike
dhe bashkërenditur punët tona. Ka rendësi që të jetojmë si vëllezër, të duam
barazinë, të përballemi me sfida dhe të jetojmë me shpresë.